Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) do të vizitojë Kosovën nga 3-13 shkurt 2026, në kuadër të konsultimeve vjetore sipas Nenit IV me Republikën e Kosovës.
Misioni, i udhëhequr nga David Amaglobeli, synon të shqyrtrojë zhvillimet e fundit makroekonomike në vend, të vlerësojë perspektivën ekonomike dhe rreziqet e mundshme, si dhe të diskutojë politikat ekonomike dhe prioritetet e reformave me autoritetet vendase dhe palët kryesore të interesit.
Njoftimi është bërë nga përfaqësuesi rezident rajonal i FMN-së për Ballkanin Perëndimor, Sebastian Sosa, përmes një komunikate për media të lëshuar më 2 shkurt 2026.
Në përfundim të vizitës, FMN-ja planifikon të publikojë një komunikatë përfundimtare dhe të mbajë një konferencë për media, ku do të prezantohen gjetjet dhe vlerësimet kryesore të konsultimeve.