Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, së bashku me zëvendësguvernatorët Cakaj dhe Fusha, si dhe stafin e BQK-së, priti Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë për zhvillimin e konsultimeve të rregullta sipas Nenit IV.
Misioni udhëhiqet nga David Amaglobeli, shef i misionit të FMN-së për Kosovën, dhe përfshin Sebastian Sosa, përfaqësues rajonal i FMN-së për Ballkanin Perëndimor me seli në Vjenë, së bashku me stafin e FMN-së nga Washington DC.
Në takimin hapës, Ismaili shprehu vlerësimin për bashkëpunimin e vazhdueshëm me FMN-në dhe asistencën profesionale si dhe teknike të ofruar ndër vite. Ai prezantoi zhvillimet e fundit makroekonomike në Kosovë dhe theksoi stabilitetin e përgjithshëm të sektorit financiar.
Guvernatori informoi misionin për reformat në vazhdim në sektorin financiar, duke përfshirë avancimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse në fushat e stabilitetit financiar, modelimit makroekonomik, mbikëqyrjes financiare, praktikave të tregut, sigurisë kibernetike dhe inteligjencës artificiale. Këto reforma mbështeten nga asistenca teknike e FMN-së, institucione të tjera financiare ndërkombëtare dhe banka qendrore partnere.
Ismaili nënvizoi zhvillimet në sektorin bankar, me nivele të larta të kapitalizimit dhe likuiditetit, si dhe performancën pozitive në sektorë të tjerë financiarë, që konfirmojnë stabilitetin e sistemit financiar në Kosovë.
Nga ana e tij, Amaglobeli vlerësoi bashkëpunimin konstruktiv ndërmjet BQK-së dhe FMN-së, duke përgëzuar BQK-në për progresin në forcimin e kornizave institucionale dhe rregullative, si dhe për bashkëpunimin përmes asistencave teknike.
Gjatë takimit, diskutimet u fokusuan në zbatimin e rekomandimeve nga konsultimet e mëparshme të Nenit IV.