Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, u takua me zëvendësdrejtorin menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bo Li, gjatë Takimeve Vjetore 2026 të FMN-së dhe Grupit të Bankës Botërore. Në takim morën pjesë edhe anëtarë të delegacionit të BQK-së dhe ekipi i Bo Li-së. Bisedimet u përqendruan te zhvillimet financiare në Kosovë, qëndrueshmëria e sistemit financiar, zbatimi i reformave strategjike dhe forcimi i bashkëpunimit mes dy institucioneve.
Ismaili tha se sektori financiar i Kosovës ruan stabilitetin dhe performancën e mirë, ndërsa sektori bankar mbetet i mirëkapitalizuar, likuid dhe i qëndrueshëm. Ai paraqiti progresin në zbatimin e Planit Strategjik të BQK-së për periudhën 2024–2028, si dhe të rekomandimeve që burojnë nga vlerësimet dhe misionet e asistencës teknike të FMN-së.
Në takim u diskutua avancimi i mbikëqyrjes së bazuar në rrezik në të gjithë sektorin financiar, forcimi i kornizave për stabilitetin financiar dhe menaxhimin e krizave, si dhe përmirësimi i qeverisjes dhe qëndrueshmërisë institucionale. U trajtua gjithashtu zhvillimi i kapaciteteve analitike, i parashikimit makroekonomik dhe i aftësive mbikëqyrëse të BQK-së. Ismaili theksoi rëndësinë e vijimit të reformave dhe të gatishmërisë institucionale për t’iu përgjigjur sfidave në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më kompleks dhe të pasigurt.
Në emër të BQK-së, Ismaili shprehu mirënjohje për partneritetin afatgjatë me FMN-në dhe mbështetjen e saj për zhvillimin e sektorit financiar dhe reformat institucionale në Kosovë. Ai nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të asistencës teknike të koordinuar, të orientuar drejt zbatimit efektiv dhe qëndrueshmërisë së reformave, zhvillimit të kapaciteteve institucionale dhe transferimit të ekspertizës ndërkombëtare.
Palët riafirmuan përkushtimin për themelimin dhe funksionalizimin e Qendrës Rajonale të Asistencës Teknike të FMN-së për Evropën Juglindore (SEETAC). Ismaili bëri të ditur se BQK-ja ka konfirmuar dhe përmbushur kontributin e saj në këtë nismë. Ai e mirëpriti krijimin e qendrës si investim në ngritjen e kapaciteteve institucionale, bashkëpunimin rajonal dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të institucioneve financiare dhe ekonomike, si dhe konfirmoi pjesëmarrjen në ceremoninë zyrtare të inaugurimit. Të dyja palët u zotuan të thellojnë partneritetin dhe të shqyrtojnë mundësi për vijimin e asistencës teknike, shkëmbimin e njohurive dhe bashkëpunimin institucional.