Qytetet e juglindjes së Shqipërisë u zgjuan mëngjesin e të premtes nën pushtetin e mjegullës së dendur dhe temperaturave nën zero.
Sipas të dhënave, temperaturat zbritën deri në -2 gradë Celsius në zonat urbane dhe deri në -7 gradë Celsius në ato malore.
Mjegull e konsiderueshme raportohet në akse nacionale si Pogradec–Korçë, Zëmbalk–Goricë dhe Korçë–Kapshticë, ku fushëpamja e kufizuar vështirësoi ndjeshëm qarkullimin e automjeteve.
Situata ishte problematike edhe në aksin Qukës–Qafë Plloçë, veçanërisht në orët e para të mëngjesit, duke ngadalësuar lëvizjen e mjeteve.
Policia e Qarkullimit Rrugor u bën thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të reduktojnë shpejtësinë, të mbajnë distancën e sigurisë dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore për të parandaluar aksidentet.