Mjegulla e dendur ka përfshirë segmentin e rrugës nacionale Burrel–Skuraj, duke krijuar vështirësi të mëdha për drejtuesit e mjeteve. Fusha e shikimit është shumë e kufizuar, ndërsa situata rëndohet nga mungesa e sinjalistikës rrugore në disa pjesë të këtij aksi.
Ky fenomen ndodh shpesh gjatë stinës së dimrit dhe pranverës, pasi rruga kalon pranë liqeneve të Ulzës dhe hidrocentralit të Shkopetit, çka favorizon krijimin e mjegullës së dendur.
Përveç mjegullës, drejtuesit e mjeteve përballen me probleme të tjera në këtë segment. Rruga ka gropa të shumta dhe mungon mirëmbajtja, sipas banorëve dhe shoferëve, pas ndërtimit të Rrugës së Arbrit. Në shumë pjesë mungojnë mbrojtëset anësore, kështu që një devijim i vogël për të shmangur gropat mund të çojë mjetet drejt Liqenit të Shkopetit.
Në këtë rrugë qarkullojnë automjete nga i gjithë qarku i Dibrës, si dhe mjete nga Maqedonia e Veriut. Drejtuesit thonë se situata është ngritur disa herë në media, por janë dhënë vetëm premtime pa masa konkrete.
Autoritetet kanë bërë thirrje për kujdes maksimal nga drejtuesit e mjeteve dhe respektim të shenjave të qarkullimit gjatë mjegullës dhe në segmentet e dëmtuara.