Një grup mjekësh dhe profesionistësh shëndetësorë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Gjermani i kanë drejtuar një peticion Bundestagut gjerman dhe deputetëve gjermanë në Parlamentin Evropian. Në peticion, ata shprehin shqetësim për situatën në Shqipëri dhe kërkojnë reagim për mbrojtjen e të drejtave demokratike.
Sipas nismëtarëve, prej më shumë se katër muajsh, mijëra qytetarë, mes tyre studentë dhe të rinj, protestojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera. Ata citojnë raportime të organizatave të të drejtave të njeriut për përdorim joproporcional të forcës nga policia dhe hedhje të gazit lotsjellës pa paralajmërim. Nismëtarët i referohen gjithashtu kërkesës së Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë për hetim të shpejtë të këtyre pretendimeve.
Peticioni ngre shqetësimin edhe për raportimet mbi automjete që perceptohen si ambulanca dhe që, sipas nismëtarëve, duket se janë përdorur në mbështetje të veprimeve policore. Mjekët thonë se gazi lotsjellës mund të shkaktojë dëmtime, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike. Ata kërkojnë që ambulancat dhe personeli mjekësor të shërbejnë vetëm për kujdesin ndaj të lënduarve.
Pesë kërkesat e peticionit
Nismëtarët u kërkojnë deputetëve gjermanë të mbajnë qëndrim publik në mbrojtje të protestës paqësore dhe t’u kërkojnë autoriteteve shqiptare një hetim të pavarur e transparent për përdorimin e forcës dhe rastet që përfshijnë automjete mjekësore. Kërkojnë gjithashtu garanci për kujdes mjekësor të paanshëm për të gjithë të lënduarit, si dhe mbrojtje për personelin shëndetësor dhe gazetarët.
Peticioni u bën thirrje deputetëve që çështja të përfshihet në axhendën e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, veçanërisht në diskutimet për shtetin e së drejtës dhe të drejtat themelore. Nismëtarët kërkojnë që të përdoren mjetet diplomatike në dispozicion për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Lidhjet familjare me Shqipërinë
Në letër, nënshkruesit thonë se shumë prej tyre janë shtetas gjermanë dhe kontribuojnë çdo ditë në sistemin shëndetësor të Gjermanisë. Prindërit, vëllezërit, motrat dhe të afërmit e tyre jetojnë në Shqipëri, ndaj zhvillimet në vend, sipas tyre, prekin drejtpërdrejt familjet e tyre.
Në përfundim të apelit, ata thonë se vlerat evropiane nuk duhet të ndalen në kufijtë e Bashkimit Evropian dhe se Shqipëria ka nevojë për një Evropë që sheh, dëgjon dhe kërkon përgjegjësi.