Trupi i pajetë i shtetases ruse Lyudmila Turkova, 28 vjeçe, është gjetur i futur brenda një valixheje në kanalin Vizelj në zonën e Beogradit. Viktima, e cila kishte udhëtuar në Serbi për një pushim dyjavor, rezultonte e zhdukur që prej datës 25 korrik, kur komunikimi i saj me të afërmit u ndërpre pas orës 23:00, pas një daljeje në një klub nate.
Zbulimi i trupit u bë nga banorët e zonës, të cilët njoftuan policinë pasi vunë re një objekt të dyshimtë në ujë. Në operacionin e kërkimit u angazhuan edhe qen policorë. Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, hetimet paraprake çuan në arrestimin e një shtetasi turk me inicialet K.E., i lindur në vitin 2001. I dyshuari u ndalua në aeroportin ndërkombëtar Nikola Tesla të Beogradit, në tentativë për t'u larguar nga territori serb.
Hetuesit dyshojnë se krimi ka ndodhur gjatë orëve të para të 26 korrikut, brenda një apartamenti të marrë me qira në lagjen Borça. Pas ngjarjes, dyshohet se trupi është transportuar dhe braktisur në kanalin Vizelj për të fshehur gjurmët. Trupi i viktimës është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të përcaktuar shkakun zyrtar të vdekjes, ndërsa prokuroria serbe ka marrë në dorë hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve të vrasjes.