Një shtetas 30-vjeçar rus, i identifikuar si Mihail Shabunjin, kreu një vrasje të trefishtë në poligonin e qitjes “Češka zbrojevka” në Danilovgrad. Viktimat e sulmit, të cilët ishin punonjës të poligonit, u identifikuan si Petar Globarević (24 vjeç), Nemanja Kapor (20 vjeç) dhe Momir Radonjić (67 vjeç).
Pas ngjarjes, autori u largua nga vendi i krimit. Ndërsa fillimisht u raportua se ishte larguar me një automjet tip “Seat Cordoba”, autoritetet konfirmuan më vonë se i dyshuari kishte udhëtuar nga Podgorica drejt Herceg Novit me taksi. Pas një kërkimi intensiv që përfshiu forcat speciale të policisë dhe mbështetjen e helikopterëve, autori u lokalizua në një zonë pyjore mbi lagjen Topla.
Sipas drejtorit të Policisë së Malit të Zi, Lazar Šćepanović, në momentin kur forcat e rendit rrethuan të dyshuarin, ai hapi zjarr ndaj tyre dhe më pas qëlloi veten për vdekje. Autoritetet malazeze kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe motivin e këtij krimi. Në shenjë nderimi për viktimat, kryeministri Milojko Spajić dhe presidenti Jakov Milatović shprehën ngushëllimet për familjarët, ndërsa qeveria ka shpallur 1 dhe 2 shtatorin ditë zie kombëtare.
Përditësime
Hetuesit kanë zbardhur dinamikën e krimit në poligonin e qitjes 'Češka zbrojevka' në Danilovgrad. Sipas të dhënave, autori Mihail Shabunjin ekzekutoi fillimisht instruktorin e poligonit, për të vazhduar më pas me vrasjen e punonjësve të tjerë të pranishëm. Policia sqaroi se 30-vjeçari qëlloi me dy armë zjarri njëkohësisht, duke përdorur të dyja duart gjatë sulmit. Pronari i poligonit, i cili ndodhej në ambientet e brendshme duke fjetur në momentin e nisjes së të shtënave, arriti t'i mbijetojë ngjarjes pa lëndime.