Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot, më 31 gusht 2026, në poligonin e qitjes “Češka zbrojevka” në Danillovgrad, ku tre persona janë vrarë me armë zjarri. Drejtoria e Policisë së Malit të Zi ka identifikuar si autor të dyshuar 30-vjeçarin Mihail Nikolajeviç Shabunin, shtetas rus. Viktimat janë Nemanja Kapor (20) dhe Petar Globareviç (24) nga Podgorica, si dhe Momir Radonjiç (67) nga Danillovgradi.
Policia po kryen një operacion intensiv për gjetjen dhe arrestimin e të dyshuarit, i cili mendohet se është larguar nga vendngjarja dhe është i armatosur. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm dhe të qëndrojnë në banesat e tyre deri në kapjen e autorit. Gjithashtu, autoritetet po verifikojnë nëse Shabunin është larguar me automjetin tip “Seat Cordoba” me targa PG AC 472, i cili rezulton në pronësi të babait të njërës prej viktimave.
Në njoftimin e saj, policia thekson se qytetarët që disponojnë informacione për vendndodhjen ose lëvizjet e 30-vjeçarit duhet të kontaktojnë menjëherë në numrin falas 122, përmes aplikacionit “Policija CG” (Stacioni Virtual i Policisë) ose në çdo mënyrë tjetër, duke garantuar mundësinë e raportimit anonim. Drejtoria e Policisë ka paralajmëruar se çdo fshehje e informacionit për personin në kërkim përbën vepër penale.
Përditësime
Policia e Malit të Zi gjeti automjetin 'Seat Cordoba' në zonën e Rogamëve, pranë restorantit 'Stefan'. Autoritetet konfirmuan se të tre viktimat ishin punonjës të poligonit 'Češka zbrojevka', ndërsa krimi ndodhi pas orës 16:00. Njësia Speciale është angazhuar në terren duke vendosur bllokada në të gjitha segmentet e rrugës Danillovgrad-Podgoricë për kapjen e autorit.
Autori i vrasjes së trefishtë, shtetasi rus Mikhail Shabunin, ka ndërruar jetë pas një përplasjeje të armatosur me forcat e policisë në zonën e Toplas, Herceg Novi. Sipas autoriteteve, Shabunin qëlloi ndaj efektivëve përpara se t'i jepte fund jetës me vetëvrasje. Hetimet zbuluan se autori kishte ekzekutuar instruktorin dhe dy persona të tjerë në poligon, ndërsa pronari i objektit arriti t'i shpëtonte sulmit. Në shenjë zie për viktimat, Qeveria e Malit të Zi ka shpallur dy ditë zie kombëtare, ndërsa institucionet arsimore në rajonin e ngjarjes kanë shtyrë fillimin e vitit shkollor.