Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, janë regjistruar dy ngjarje ku zyrtarët policorë janë penguar apo sulmuar gjatë kryerjes së detyrës. Rasti i parë ka ndodhur të shtunën, më 2 gusht, në Malishevë, ku dy të dyshuar meshkuj kosovarë janë arrestuar pasi kanë penguar forcat e rendit. Më tej, brenda ambientit të stacionit policor, njëri prej tyre ka ushtruar dhunë fizike ndaj punonjësve të policisë. Për shkak të lëndimeve, tre zyrtarë policorë kanë kërkuar trajtim mjekësor. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje dhe ndaj tyre janë iniciuar procedurat penale për veprat "Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrave zyrtare" dhe "Sulm ndaj personit zyrtar".
Në një rast të dytë të shënuar në Gjakovë, policia arrestoi një shtetase kosovare për sjellje agresive ndaj një zyrtari. E dyshuara, e cila ndodhej në stacion për një çështje tjetër, ka shtyrë punonjësin e policisë. Pas konsultimeve me prokurorin e çështjes, e dyshuara është liruar dhe rasti ndaj saj do të vazhdojë në procedurë të rregullt.
Përditësime
Policia e Kosovës ka saktësuar se incidenti në Malishevë, në të cilin u përfshinë tre zyrtarë policorë, ka ndodhur të dielën rreth orës 14:30, dhe jo të shtunën, më 2 gusht, siç ishte raportuar fillimisht.
Hetimet zbardhën se sulmi në Malishevë u nxit nga pakënaqësia për një gjobë trafiku prej 40 eurosh, të shqiptuar ndaj vëllait të të dyshuarit. Sipas Policisë së Kosovës, incidenti përshkallëzoi kur njëri vëlla u arrestua në vendngjarje, ndërsa tjetri u prangos pasi sulmoi zyrtarët brenda stacionit. Tre policët e lënduar, që pësuan lëndime në parakrah, qafë, dorë, sy dhe këmbë, morën ndihmën e nevojshme mjekësore në QMF Malishevë.