Autoritetet italiane kanë shpallur alarm portokalli për Pulinë dhe Bazilikatën, për shkak të reshjeve të dendura, stuhive dhe rrezikut hidrogjeologjik. Alarm i verdhë është lëshuar për pesë rajone të tjera: Kalabrinë, Kampaninë, Molisen, Abruzon dhe Siçilinë.
Reshjet dhe stuhitë nisën në orët e para të së hënës, më 2 nëntor, dhe pritet të përfshijnë gradualisht një pjesë të madhe të territorit italian. Sipas parashikimeve, situata mund të jetë veçanërisht problematike në Bazilikatë dhe në shpatet lindore të Apenineve, në Abruzo e Molise. Parashikohen gjithashtu erëra të forta, breshër në disa zona dhe shkarkesa të shpeshta elektrike. Erërat pritet të përfshijnë fillimisht Lazion, Kampaninë dhe Siçilinë, e më pas Pulinë dhe Bazilikatën.
Masat në qytete
Në rajonin e Pulias janë mbyllur shkollat në San Severo, Leçe dhe Brindisi. Sipas RTSH-së, shkolla, parqe dhe varreza janë mbyllur edhe në Trani dhe Barleta. Në Leçe, përveç shkollave, janë mbyllur varrezat komunale, selia e bashkisë dhe parqet publike, ndërsa është pezulluar veprimtaria e disa tregjeve. Është anuluar edhe ceremonia institucionale përkujtimore që do të mbahej në varrezat monumentale të qytetit.
Në Barleta, rrugët kryesore, ato periferike dhe nënkalimet do të monitorohen për rrezik përmbytjeje. Nëse kushtet përkeqësohen, këto segmente mund të mbyllen për automjetet dhe këmbësorët. Në Napoli, gjatë alarmit meteorologjik janë mbyllur parqet e qytetit dhe plazhet publike.
Paralajmërimet e autoriteteve
Mbrojtja Civile e Kampanias ka paralajmëruar për përmbytje lokale, dalje të ujërave nga shtrati, rrjedhje në rrugë dhe rritje të nivelit të ujërave. Nuk përjashtohen rrëshqitjet e dheut dhe rëniet e gurëve, veçanërisht në zona ku toka është dobësuar nga reshjet e mëparshme dhe zjarret. Autoritetet u kanë kërkuar bashkive të aktivizojnë qendrat e operacioneve emergjente dhe të zbatojnë planet e mbrojtjes civile. Banorëve u është këshilluar të shmangin lëvizjet e panevojshme, parqet dhe zonat me pemë, si dhe të mos kalojnë nëpër nënkalime të përmbytura.