Një stuhi e fuqishme ka përfshirë qarkun e Elbasanit ditën e premte, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin rrugor për shkak të lagështirës në asfalt dhe uljes së shikueshmërisë. Reshjet e dendura, të shoqëruara me breshër dhe erëra të forta, janë regjistruar në qytetin e Elbasanit, si dhe në zonat e Librazhdit, Përrenjasit dhe Gramshit.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti i përkeqësuar ishte paralajmëruar më herët, me shkarkesa elektrike dhe shtrëngata lokale në zonat veriore dhe lindore të vendit. Aktualisht, nuk raportohen dëme të konsiderueshme apo situata emergjente, ndërsa strukturat vendore mbeten në gatishmëri për monitorimin e situatës.
Ndërkohë, ndikimi i motit të keq është shtrirë edhe në zonat bregdetare. Kapiteneritë e porteve të Vlorës dhe Sarandës kanë urdhëruar ndalimin e daljes në det të hapur për mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit deri në orën 06:00 të datës 25 korrik. Ky kufizim prek mjetet që operojnë jashtë Gjirit të Vlorës, si dhe në zonat Dhërmi–Himarë, Borsh dhe Ksamil, ku priten dallgë deri në 3,5 metra.
Qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjeve për shkak të kushteve të paqëndrueshme atmosferike, të cilat pritet të vijojnë edhe në orët në vijim.