Ky artikull është përditësuar. Shiko përditësimet
Në orët e para të së shtunës, një automjet tip Audi me targa angleze ra në përrua në fshatin Dars të Klosit. Drejtuesi, A.L., 24 vjeç, banues në Fullqet, shpëtoi duke dalë nga uji, por pasagjeri J.K., 30 vjeç, nga i njëjti fshat, nuk u gjet. Policia dyshon se rrjedha e përroit e ka marrë atë.
Shërbimet e policisë dhe zjarrfikësve identifikuan mjetin pas sinjalizimit nga banorët. A.L. u arrestua për mosndihmë ndaj pasagjerit, mosnjofhtim të policisë dhe drejtim nën ndikimin e alkoolit. Testi i alkoolit konfirmoi gjendjen e dehur. Kërkimet vijojnë me ndihmën e RENEA-s dhe polumbarëve.
Probleme nga reshjet në Gjirokastër
Reshjet e shiut kanë vazhduar gjatë natës, duke shkaktuar rrëshqitje dherash në rrugët kombëtare. Në aksin Tepelenë–Gjirokastër, pranë Shkallës së Zezë, qarkullimi kryhet vetëm me një korsi për shkak të masiveve të dherës. Në aksin Përmet–Dogana e Tre Urave, lëvizja është e kufizuar në një sens pranë fshatit Petran, ku toka ka dëmtuar rrugën.
Në rrugën Gjirokastër–Kakavijë, prania e ujit ka detyruar Policinë Rrugore të apelojë për kujdes të shtuar. Në Bashkinë Përmet, katër familje të evakuara mbeten në konvikt, ndërsa në Lunxhëri filluan punimet për hapjen e rrugës në Dhoksat. Aksi Kolonjë–Golëm është normalizuar.
Rreth 300 familje në zonat malore të Tepelenës dhe Përmetit janë pa energji elektrike për shkak të defekteve në rrjet. OSHEE raporton mungesë furnizimi në Kurvelesh, Ballaban dhe Këlcyrë. Niveli i lumit Vjosa në Memaliaj është 4 metra.
Ndikimi në Korçë
Në Qarkun e Korçës, reshjet kanë lënë pa energji rreth 1 857 abonentë, kryesisht në zonat rurale të Pogradecit, Lozhanit, Petrushës, Gur i Kuq dhe Leskovikut. Ekipet e OSHEE-së punojnë për riparime, duke garantuar furnizimin për objektet e rëndësishme.
Rrugët rurale në Kolonjë dhe Maliq janë pastruar, por argjinaturat e Devollit kërkojnë ndërhyrje. Në Pogradec, qarkullimi në Lumin e Verdovës është i kufizuar në një korsi, ndërsa në Çërravë rrëshqitjet rrezikojnë një banesë. Autoritetet monitorojnë situatën për sigurinë e banorëve.
Përditësim
Lumi Erzen ka shkaktuar përmbytje të mëdha në Katundin e Ri dhe Sukthin të Durrësit, duke dëmtuar banesa, biznese dhe 2,500 hektarë tokë bujqësore. Banorët kërkojnë ndihmë urgjente nga autoritetet.
Zhvillime të tjera nga moti i keq:
- Rrëshqitje dherash kanë bllokuar rrugën Elbasan–Gjinar; banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.
- Rruga e Dardhës u rihap pas tre ditësh nga rrëshqitjet e dherash.
- Rrëshqitje inerte kanë bllokuar aksin Gjirokastër–Tepelenë pranë kthesës së fshatit Hormovë, me punime në vazhdim.
- Fermerët grekë kanë hequr bllokadat dyditore në Kakavijë, duke rikthyer fluksin kufitar me 3,471 shtetas dhe 1,172 automjete të përpunuar.
- Rrëshqitje dherash kanë izoluar plotësisht fshatin Bashaj në Selenicë, duke krijuar vështirësi për furnizime dhe shërbime mjekësore.
Përditësim
Bashkia Pogradec evakua 5 familje për shkak të motit të keq: një në Çeravë dhe tre në Dardhas nga shkarjet e dheut, si dhe një në Verdovë nga erozioni i lumit Verdovë. Familjet u sistemuan përkohësisht dhe marrin bonus qeraje nga bashkia. Në Durrës, numri i të evakuarve arriti në 851 persona nga përmbytjet dhe moti i keq, sipas autoriteteve lokale.