Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Bosnje dhe Hercegovinë, Michael Murphy, ka reaguar ndaj një shkrimi të autorit izraelit Jose Lev Alvarez, të botuar në Washington Examiner me titullin “Lëreni Bosnjën të shpërbëhet: Pse Donald Trump duhet ta njohë Republikën Serbe të pavarur”. Murphy e ka cilësuar artikullin si pjesë të një përpjekjeje më të gjerë lobuese për të ndryshuar narrativën rreth Bosnje dhe Hercegovinës në Washington, duke pretenduar se tekste të tilla promovojnë mite etnonacionaliste dhe dezinformata.
Në reagimin e tij, ish-ambasadori amerikan e përshkroi shkrimin e Alvarez si një nga tekstet më ekstreme dhe më të çmendura të publikuara së fundmi. Me një ton ironik, Murphy sugjeroi se nga ky artikull mund të nxirren ide që do t'i shërbenin vendit. Ai deklaroi se anëtarët e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës mund të propozonin njohjen e Kosovës, si dhe t'u ofronin Shteteve të Bashkuara mundësinë për të vendosur një bazë ushtarake në territorin e tyre.
Si lokacione të mundshme për një bazë të tillë, Murphy përmendi qytetin e Tuzës, ku forcat amerikane kishin qenë të stacionuara pas luftës, ose Bërçkon. Sipas tij, një zhvillim i tillë do të ishte në kohën e duhur. Nga ana tjetër, autori Jose Lev Alvarez kishte argumentuar në tekstin e tij se SHBA-ja duhet ta njohë pavarësinë e Republikës Serbe, me pretendimin se serbët janë të bllokuar në një shtet artificial dhe se eksperimentet multietnike në rajon kanë dështuar. Sipas portalit Klix.ba, nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse shkrimi i Alvarez është pjesë e aktiviteteve të sponsorizuara nga Qeveria e Republikës Serbe.