Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka deklaruar se subjekti i saj politik nuk i është shmangur asnjëherë përgjegjësive shtetërore dhe institucionale. Para fillimit të mbledhjes së Kryesisë së partisë, ajo u shpreh se në rrethanat aktuale, PDK po bën përpjekje për të ofruar më të mirën për Kosovën.
Lidhur me agjendën e mbledhjes, Musliu zgjodhi të mos japë detaje para përfundimit të takimit, duke u shprehur se do të flasë më konkretisht pas përfundimit të tij. Ajo nënvizoi se takimi i sotëm është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të partisë.
Në fjalën e saj, Musliu veçoi çështjen e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke e konsideruar atë si një temë të domosdoshme që kërkon shqyrtim të menjëhershëm, ndryshe nga çështjet e tjera të cilat sipas saj mund të presin.
“Partia Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk i ka ikur përgjegjësisë shtetërore e institucionale, nuk i ikën sot. Jemi duke u munduar të bëjmë më të mirën për Kosovën, në rrethanat në të cilat jemi. Ajo çka nuk pret momentalisht është Ligji për Dhomat e Specializuara, të tjerat presin”, ka deklaruar Musliu.