Protesta e titulluar "Jo në emrin tim" vijon mbrëmjen e sotme në Prishtinë, duke shënuar natën e saj të 13-të radhazi në sheshin "Skënderbeu". Tubimi, i cili pritet të nisë në orën 21:00, parashikon një sërë aktivitetesh simbolike dhe fjalime të pjesëmarrësve.
Programi i mbrëmjes do të hapet me interpretimin e "Betimit të Ushtarit" nga veterani Bekim Juniku, i cili do të ndajë gjithashtu me të pranishmit dëshminë e tij personale. Në vijim, fjalimet do të mbahen nga organizatori i protestës, Çlirim Haziri, gazetarja nga Shqipëria, Denada Kola, si dhe aktori Kushtrim Sheremeti.
Gjatë zhvillimit të kësaj nisme, në ekranin LED të vendosur në shesh do të shfaqet videoja me titull "Rrëfimi i ushtarit". Pjesë e programit do të jetë edhe interpretimi i këngëtarit Luan Jahiri, i cili do të sjellë një pjesë kushtuar "Epopesë së Jezercit", shoqëruar nga një këngë ushtarake. Mbrëmja do të përmbyllet me aksionin simbolik të quajtur "Një minutë heshtje për drejtësinë".