Ka ndërruar jetë Bahrije Mustafa, bashkëshortja e veprimtarit të shquar, të ndjerit Xhemail Mustafa. Lajmin e ka bërë të ditur përmes një njoftimi kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.
Në mesazhin e tij, Abdixhiku e vlerësoi Bahrije Mustafën si një grua të rrallë, e cila arriti ta shndërronte dhimbjen e humbjes së bashkëshortit në dinjitet, forcë dhe përkushtim për familjen e vendin. Ai theksoi se me ndarjen e saj nga jeta, humbet një pjesë e çmuar e kujtesës kolektive.
"Zonja Bahrije ishte një grua e rrallë. Me qetësinë, urtësinë dhe fisnikërinë e saj, ajo mbeti përherë gardiane e kujtimit dhe veprës së bashkëshortit të saj", shkroi Abdixhiku.
Kreu i LDK-së kujtoi gjithashtu praninë e saj në përvjetorët e 23 nëntorit, duke e përshkruar si një simbol të qëndresës dhe besnikërisë. Në përfundim, ai u shprehu ngushëllimet më të sinqerta fëmijëve të saj, Besianit dhe Berianës:
- "I dashuri Besian, e dashura Berianë, në emër të gjithë anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e nënës suaj."
- "Gjeni forcë në shembullin e saj, ashtu siç ajo gjeti forcë në momentet më të vështira të jetës."
- "Zonja Bahrije, pusho në paqe. Bashkohu në amshim me Xhemailin, të cilit i qëndrove pranë me dashuri, besnikëri dhe dinjitet deri në fund."