Don Kelmend Spaqi, famulltar i Kishës Katolike “Shna Ndout” në Gllogjan të Pejës, ndërroi jetë në moshën 63-vjeçare më 2 prill 2026. Lajmi u bë i ditur qysh në mëngjes, në Ditën e Meshtarit, kur besimtarët katolikë festonin Enjten e Madhe dhe Darkën e Fundit të Zotit Jezu Krishtit me apostujt.
Gjatë luftës në Kosovë, Don Kelmend Spaqi e shndërroi kishën në strehë mbrojtëse për civilët shqiptarë kundër paramilitarëve serbë. Si famulltar në Gllogjan, ai shërbeu për rreth 15 vite dhe u kujtua nga banorët si patriot i madh, në shërbim të besimtarëve katolikë dhe të atdheut.
Ai dallohej për tolerancën fetare, duke rënë kambanën për iftar dhe duke mbrojtur të gjithë pavarësisht feje apo kombi, sipas dëshmive të besimtarëve.
Prifti aktual i kishës, Don Marjan Ukaj, e cilësoi vdekjen si trishtuese, veçanërisht në këtë ditë feste. «Don Kelmendin e kujtojmë si një njeri të urtë, një njeri punëtor, një meshtar i cili gjithë jetën e tij e ka shkrirë në shërbim të besimtarëve dhe në shërbim të popullit», tha Ukaj për KosovaPress. Ai theksoi se lajmi erdhi papritur, pasi nuk dihej për sëmundjen e tij të fundit dhe se një meshtar kalon meshtar në amshim.