Skena artistike dhe Teatri Kombëtar i Kosovës (TKK) kanë njoftuar ndarjen nga jeta të organizatorit Beqir Beqiri, i cili ka vdekur të martën në moshën 64-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Beqir Beqiri, i lindur më 10 shkurt 1962 në Prishtinë, ishte figurë emblematike e institucionit, ku kishte filluar punën qysh në rininë e tij, në kohën kur institucioni njihej si Teatri Popullor Krahinor.
I njohur ndër kolegë dhe bashkëpunëtorë si "Beqa i Teatrit", ai u shndërrua në pikë referimi për organizimin e punëve brenda këtij institucioni kulturor. Kontributi i tij disadekadësh u vlerësua lart nga TKK, i cili përmes një njoftimi zyrtar e cilësoi atë si "punëtor të kahmotshëm, koleg të respektuar dhe organizator të përkushtuar".
Sipas njoftimit, ceremonia e varrimit për Beqir Beqirin është mbajtur të martën, pas faljes së namazit të drekës, në Varrezat e Dragodanit në Prishtinë. Humbja e tij është përjetuar me dhimbje nga komuniteti artistik dhe të gjithë ata që patën rastin të bashkëpunojnë me të gjatë viteve të punës së tij të palodhur.
Përditësime
Kolegët dhe bashkëpunëtorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës (TKK) mbajtën sot mbledhjen komemorative për nder të organizatorit Beqir Beqiri. Udhëheqësi artistik, Kushtrim Mehmeti, e vlerësoi Beqirin si një 'urë lidhëse' vitale mes TKK-së dhe teatrove mbarëshqiptare. Kjo është ngjarja e parë e organizuar nga TKK-ja pa koordinimin e tij në 40 vitet e fundit.