Një banor i fshatit Zupç në komunën e Zubin Potokut është ndaluar nga autoritetet policore për 48 orë, pasi dyshohet se ka dhënë deklarim të rremë gjatë një hetimi për krime lufte. Avokati i tij, Milosh Deleviq, bëri të ditur se klienti i tij, i identifikuar me inicialet D.V., u ndalua fillimisht rreth orës 13:00 në pikëkalimin kufitar të Bërnjakut, teksa po udhëtonte drejt Kosovës. Pas ndalimit, ai u shoqërua për të dëshmuar në kuadër të procedurave hetimore që po udhëhiqen nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Sipas avokatit Deleviq, pas marrjes në pyetje, prokurori vendosi të nisë procedurën penale ndaj D.V., me pretendimin se dëshmia e dhënë ishte e rreme. Në një njoftim zyrtar, Policia e Kosovës konfirmoi se të martën, rreth orës 14:30, në Mitrovicën e Veriut është arrestuar një i dyshuar për deklarim të rremë gjatë intervistimit, megjithëse nuk u specifikua nëse bëhet fjalë për të njëjtin person.
Këto veprime hetimore janë pjesë e një operacioni të gjerë që po zhvillohet në komunën e Zubin Potokut. Hetimet janë përqendruar në kërkimin e mbetjeve mortore të personave të zhdukur gjatë luftës së vitit 1999, kryesisht shqiptarë nga rajoni i Mitrovicës. Në kuadër të këtij procesi, deri më tani janë arrestuar edhe tre persona të tjerë, të cilët aktualisht ndodhen në paraburgim me masë prej një muaji, të caktuar nga gjykata përkatëse.