Gjatë protestës që po zhvillohet prej dy javësh në kryeqytet, një grup i drejtuar nga Pëllumb Pilinçi është pozicionuar në sheshin “Skënderbej”, duke përdorur pajisje zanore dhe duke shpërndarë flamuj shqiptarë e amerikanë. Prania e tyre ka shkaktuar debate dhe distancim nga ana e protestuesve të tjerë, të cilët janë mbledhur prej ditësh në të njëjtin shesh.
Organizatorët e protestës kryesore u kanë kërkuar përfaqësuesve të grupit të Pilinçit që të ulnin volumin e pajisjeve të fonisë, me arsyetimin se zhurma po pengonte koordinimin e marshimit drejt Kryeministrisë. Përfaqësues të grupit të sapoardhur kanë deklaruar se disponojnë lejen për zhvillimin e protestës dhe se drejtuesi i tyre, prof. dr. Pëllumb Pilinçi, pritej të mbërrinte për t'iu bashkuar tubimit.
Pas këtyre zhvillimeve, situata ka rezultuar në një ndarje të dy grupeve. Ndërsa grupi i Pilinçit ka nisur mbajtjen e fjalimeve në sheshin “Skënderbej”, masa tjetër e protestuesve ka vijuar me planin fillestar për të marshuar drejt godinës së Kryeministrisë.