Mbrëmjen e sotme, qyteti bregdetar i Sarandës u përfshi nga një ndërprerje e energjisë elektrike, e cila la në errësirë shëtitoren kryesore dhe zonat përreth saj. Ndërprerja ndodhi rreth orës 21:30, një periudhë me fluks të lartë lëvizjesh për shkak të numrit të lartë të turistëve që ndodhen aktualisht në qytet.
Sipas informacioneve të bëra të ditura nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), defekti erdhi si pasojë e ngarkesës së lartë në rrjet, gjë e cila shkaktoi rënien e një prej tre fidrave të linjës që furnizon këtë pjesë të qytetit. Kjo mungesë e energjisë ka ndikuar drejtpërdrejt në aktivitetin e bizneseve të vendosura përgjatë shëtitores, ndërsa deri më tani nuk është raportuar një afat kohor i saktë për rikthimin e furnizimit normal me energji elektrike.
Përditësime
Ekipet teknike të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ndodhen aktualisht në terren për riparimin e avarisë. Ndërprerja ka prekur në mënyrë specifike Lagjen nr. 1 të qytetit të Sarandës.