Drejtori operativ i televizionit Alsat, Lirim Hajredini, ka ndërruar jetë në moshën 38-vjeçare. Trupi i tij është gjetur mëngjesin e sotëm në afërsi të qendrës tregtare Mavrovka në Shkup.
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se ngjarja u raportua në ora 09:25. Sipas të dhënave zyrtare, efektivët e stacionit policor Bit Pazar kanë konstatuar se personi me inicialet L.H., banues në Shkup, kishte ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra. Vdekja është konfirmuar nga mjekët e Ndihmës së Shpejtë Mjekësore në vendin e ngjarjes. Prokurori publik është vënë në dijeni për rastin dhe po kryhen veprimet hetimore për këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërsa trupi do t'i nënshtrohet obduksionit.
Lirim Hajredini ka shërbyer për më shumë se 16 vjet në pozicionin e drejtorit operativ të televizionit Alsat (i njohur edhe si Alsat-M).
Përditësime
Burime hetimore bëjnë me dije se pista kryesore e hetimit po përqendrohet te dyshimet për vetëvrasje. Ndërkohë, kolegët dhe bashkëpunëtorët e kujtojnë Hajredinin si një profesionist me kontribut të spikatur në marketing, strategji biznesi dhe prodhim televiziv gjatë karrierës së tij 16-vjeçare.
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut konfirmoi se njoftimi për rastin është pranuar në orën 09:25. Ngjarja ka ndodhur në bulevardin 'Krste Misirkov', në afërsi të qendrës tregtare 'Mavrovka'.