Një ngjarje e rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Tiranë. Shtetasi Kreshnik Cara, 49 vjeç, ka ndërruar jetë në spital pasi u godit me mjet prerës gjatë një konflikti fizik.
Ngjarja është regjistruar në afërsi të gjimnazit Petro Nini Luarasi. Viktima u dërgua me urgjencë në spital me plagë të rënda në pjesën e barkut, por pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ai nuk ka mundur t'u mbijetojë plagëve të marra.
Policia e Shtetit ka njoftuar se ka arrestuar autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin Toni Nake, 50 vjeç. Kapja e tij u bë si rezultat i veprimeve të menjëhershme operacionale. Sipas njoftimit zyrtar, konflikti dyshohet të ketë ndodhur për motive të dobëta.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, duke përfshirë këqyrjen e kamerave të sigurisë dhe verifikimin e dinamikës së përplasjes. Materialet procedurale i janë referuar organit të akuzës për veprime të mëtejshme.
Përditësime
Burime zyrtare bënë të ditur se përplasja ndodhi brenda një lokali në rrugën 'Marko Boçari'. Autori i dyshuar, Toni Nake, ka pësuar dëmtime fizike gjatë konfliktit dhe ndodhet në spital nën mbikëqyrjen e Policisë së Shtetit.
Hetimet zbardhën dinamikën e krimit të ndodhur në lokalin në rrugën 'Marko Boçari'. Autori, Toni Nake, 50 vjeç, u largua nga vendngjarja pas një debati me viktimën, Kreshnik Cara, për t'u rikthyer më pas me një thikë në dorë. Gjatë marrjes në pyetje, Nake deklaroi se viktima e kishte bullizuar në mënyrë të vazhdueshme. Burime të policisë bëjnë me dije se autori dyshohet si përdorues i lëndëve narkotike dhe ka histori të problemeve të shëndetit mendor. Në momentin e përshkallëzimit të dhunës, viktima ishte duke qëndruar në një tavolinë me një mikun e tij.
Hetuesit zbuluan se autori Toni Nake ishte rikthyer në banesën e tij për t'u pajisur me mjetin e krimit, menjëherë pas debatit verbal fillestar. Forcat e posaçme Shqiponja finalizuan arrestimin e tij pak pas ngjarjes. Gjatë kërkimeve, Policia e Shtetit sekuestroi thikën që dyshohet se u përdor në vrasje. Dëshmitë e dhëna nga autori para hetuesve janë cilësuar nga autoritetet si të paqëndrueshme dhe me kontradikta të shumta.