Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Tiranë, ku shtetasi Kreshnik Cara, 49 vjeç, është goditur me thikë. Ngjarja është regjistruar në një lokal në rrugën “Marko Boçari”, pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”.
Sipas informacioneve paraprake, Kreshnik Cara ka marrë plagë të rënda në pjesën e barkut dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, ndërsa ndodhet nën kujdesin e mjekëve në gjendje shëndetësore që përshkruhet si e rëndë. Autori i dyshuar i ngjarjes, Toni Nake, 50 vjeç, është kapur dhe vënë në pranga nga shërbimet e Policisë pak kohë pas incidentit.
Hetimet paraprake sugjerojnë se plagosja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta. Disa burime raportojnë gjithashtu se edhe autori i dyshuar, Toni Nake, ka pësuar dëmtime gjatë përleshjes dhe është dërguar në spital për mjekim. Materialet procedurale janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e dinamikës së plotë të incidentit.