Gjatë kontrolleve të shtuara për sigurinë rrugore, zyrtarët e Stacionit Policor në Shtime identifikuan dy raste të kundërvajtjeve të rënda në trafik. Incidentet ndodhën në rrugën “Skënderbeu”, ku dy drejtues mjetesh kryen tejkalim në vijë të plotë, duke rrezikuar sigurinë në një kthesë me dukshmëri të kufizuar.
Në rastin e parë, F.O., 33-vjeçar, i cili drejtonte një automjet tip VW Caddy, u ndëshkua me 200 euro gjobë, 2 pikë negative dhe masën mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të mjetit për 3 muaj.
Në rastin e dytë, shoferi M.B., 37-vjeçar, i cili drejtonte një automjet tip VW Passat, u ndëshkua për të njëjtën shkelje. Gjatë verifikimit, policia konstatoi se mjeti kishte regjistrimin e skaduar që nga data 17 korrik 2025. Për këto dy kundërvajtje, ndaj tij u shqiptua një gjobë prej 400 eurosh, 2 pikë negative dhe 3 muaj ndalim i drejtimit të automjetit.
Policia Rajonale e Ferizajt njoftoi se do të vijojë me kontrollet dhe aktivitetet e intensifikuara në trafik me qëllim zbatimin e dispozitave ligjore dhe rritjen e sigurisë në rrugë.