Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka njoftuar zyrtarisht ndryshimin e programit për ndeshjen e vlefshme për raundin e dytë të Superligës midis Skënderbeut dhe Dinamo City. Pas vendimit të Komisionit të Ligave dhe Garave, takimi nuk do të luhet më në qytetin e Korçës, por në stadiumin Elbasan Arena.
Sfida është caktuar të zhvillohet më 31 gusht, në orën 21:00. Ky vendim është marrë në dakordësi të plotë me të dyja klubet. Fillimisht, ndeshja ishte planifikuar të mbahej në stadiumin Skënderbeu në orën 18:30. Sipas Shqiptarja.com, zhvendosja e duelit u bë e nevojshme për shkak të kushteve jo të përshtatshme të fushës në impiantin korçar.
Si pjesë e marrëveshjes së arritur midis palëve, në fazën e dytë të kampionatit, ndeshja e kthimit midis Dinamo City dhe Skënderbeut do të zhvendoset në Korçë dhe do të luhet në stadiumin Skënderbeu.