Thirrjet për prodhimin e armëve bërthamore në Iran po shtohen, ndërsa konflikti me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin ka hyrë në muajin e tetë. Ligjvënës dhe zyrtarë të lartë të sigurisë kanë mbështetur publikisht idenë e prodhimit të një bombe. Ndërkohë, Uashingtoni raportohet se po shqyrton sulme ndaj Malit Pickaxe, një objekti nëntokësor ku, sipas zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë, Irani ka zhvendosur mijëra centrifuga.
Për vite me radhë, zyrtarët iranianë kanë thënë se programi bërthamor i vendit shërben vetëm për qëllime civile. Ata i janë referuar fetvasë së ish-udhëheqësit suprem, ajatollah Ali Khamenei, kundër zhvillimit të armëve të shkatërrimit në masë. Khamenei, zyrtarë të lartë të sigurisë dhe komandantë ushtarakë u vranë në valën e parë të sulmeve, më 28 shkurt, ditën kur nisi lufta. Sulmet kishin në shënjestër kryesisht objekte të lidhura me shtetin, ushtrinë ose programin bërthamor, por u goditën edhe infrastruktura civile dhe u vranë iranianë të zakonshëm.
Kamal Kharazi, këshilltar i Khameneit, i cili u vra në sulmet izraelite në fillim të këtij viti, tha më 2024 se Teherani mund ta rishikonte doktrinën bërthamore nëse do të përballej me një kërcënim ekzistencial. Lufta e këtij viti duket se nga disa zyrtarë iranianë shihet si një kërcënim i tillë.
Operacionet e mëdha ushtarake amerikane janë reduktuar, ndërsa presioni ekonomik është shtuar, përfshirë bllokadën detare të porteve iraniane. Bisedimet përmes ndërmjetësve kanë ngecur. Presidenti amerikan, Donald Trump, hodhi poshtë propozimin e fundit të Iranit për një armëpushim shtatëditor dhe rihapjen graduale të Ngushticës së Hormuzit, ndërsa kërcënoi me rifillimin e sulmeve të mëdha. Uashingtoni thotë se çdo marrëveshje duhet të përfshijë ulje “domethënëse” të kapaciteteve të Iranit për pasurimin e uraniumit, sipas formulimit të nënpresidentit JD Vance.
Marrëveshjet bërthamore dhe thirrjet për armë
Irani nënshkroi Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) në vitin 1968 dhe e ratifikoi më 1970. Traktati i detyron shtetet pa armë bërthamore të mos i prodhojnë ato dhe garanton qasjen në teknologjinë bërthamore për qëllime paqësore, nën mbikëqyrje. Në vitin 2015, Irani nënshkroi Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA) me disa fuqi botërore, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Marrëveshja kufizonte programin bërthamor të Teheranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Pasi Trump e tërhoqi në mënyrë të njëanshme SHBA-në nga marrëveshja më 2018, Irani e intensifikoi pasurimin e uraniumit, ndërsa vazhdoi të thoshte se programi i tij bërthamor shërbente vetëm për qëllime civile. Në qershor të vitit të kaluar, Izraeli dhe SHBA-ja kryen sulme ajrore ndaj objekteve bërthamore iraniane, duke paralajmëruar se Irani ishte pranë zhvillimit të armëve bërthamore. Më 28 shkurt, të dyja vendet nisën sulme ajrore që çuan në luftën aktuale.
Ligjvënësi Ahmad Bakhshayesh Ardestani, anëtar i Komisionit të Parlamentit iranian për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme, tha se Irani e kishte paguar tashmë çmimin për programin bërthamor dhe se kishte ardhur koha të prodhonte armë. Një tjetër ligjvënës, Hossein Ali Haji-Deligani, e përshkroi mungesën e parandalimit bërthamor si një nga dobësitë kryesore të Iranit dhe sugjeroi se një bombë mund të testohej në një të ardhme jo shumë të largët. Edhe Mohsen Rezaei, sekretar i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, la të kuptohej se prodhimi i armëve bërthamore mbetet çështje e hapur.