Benjamin Netanyahu, kryeministri në largim i Izraelit, akuzoi partitë arabe për përpjekje për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, pas arrestimit të disa personave të dyshuar për tentativë për korruptimin e votuesve. Netanyahu tha se tre zyrtarë të lartë të partisë Ra’am u arrestuan në jug të Izraelit, pasi dyshohet se kishin me vete zarfe të mbushura me para në dorë.
Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dean Livne, e cilësoi rastin si të pazakontë. Në një konferencë për shtyp, ai tha se policia kishte arrestuar të dyshuarit para se të mbërrinin në qendrat e votimit.
Sipas Livne, të dyshuarit nuk u arrestuan në qendrat e votimit, por pranë banesave të tyre. Identitetet e tyre nuk janë bërë publike. Për rastin ka nisur hetim, ndërsa autoritetet thanë se deri në atë moment nuk ishin raportuar incidente të tjera të ngjashme në vend.
Gjatë fushatës zgjedhore, Netanyahu ka drejtuar vazhdimisht akuza ndaj partive arabe dhe ka përdorur retorikë të ashpër ndaj së majtës dhe këtyre partive, duke i akuzuar se synojnë të dëmtojnë shtetin hebre. Ai u bëri thirrje qytetarëve të votojnë për partinë e tij, Likud.
“Ne nuk mund ta lëmë këtë betejë në duart e së majtës dhe partive arabe që duan t’i japin fund shtetit hebre”, deklaroi Netanyahu. Ai u kërkoi mbështetësve të merrnin pjesë në votime: “Pra, asnjë barbekju, asnjë plazh: shkoni votoni për Likudin”.