Benjamin Netanyahu, kryeministri izraelit, deklaroi të martën se ushtria e tij do të përgjigjet me forcë edhe më të madhe ndaj sulmeve me predha nga Irani dhe Libani. Ai bëri këto komente gjatë një vizite në një bazë ajrore izraelite.
“Pilotët tanë janë mbi qiellin e Iranit dhe Teheranit, si dhe mbi qiellin e Libanit. Hezbollahu bëri një gabim shumë të madh kur na sulmoi”, tha Netanyahu.
Ai shtoi se qeveria libaneze dhe populli libanez duhet ta kuptojnë se Hezbollahu, i mbështetur nga Irani, po i tërheq ata në një luftë që nuk është e tyre, vetëm për shkak të vdekjes së atij vrasësi masiv me të cilin ata nuk kanë të bëjnë fare.
Një zyrtar i lartë i Hezbollahut ka thënë se pas më shumë se një viti respektimi të armëpushimit, ndërsa Izraeli ka nisur sulme pothuajse të përditshme në Liban, durimi i grupit ka mbaruar.
Përditësime
Benjamin Netanyahu vizitoi bazën ajrore Palmachim bashkë me ministrin e Mbrojtjes Israel Katz dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm Eyal Zamir.
Netanyahu iu referua sulmeve me raketa të Hezbollah-ut ndaj veriut të Izraelit ditët e fundit.
Ai premtoi "masa shtesë" përveç forcës më të madhe.
Konflikti, i nisur me sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit herët të shtunës, tani ka përfshirë vende të rajonit të Gjirit dhe Lindjen e Mesme më gjerë.