Benjamin Netanyahu, kryeministri izraelit, deklaroi se Izraeli do të shtojë sulmet ndaj Hezbollahut dhe Iranit. Ai foli gjatë një vizite në bazën ajrore Palmachim, së bashku me ministrin e Mbrojtjes Israel Katz dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), gjeneral-lejtnant Eyal Zamir.
Netanyahu vlerësoi se "Hezbollahu bëri një gabim shumë të madh kur na sulmoi", duke iu referuar sulmeve me raketa ndaj veriut të Izraelit ditët e fundit. Ai shtoi se Izraeli "tashmë është përgjigjur me forcë dhe do të përgjigjet me edhe më shumë forcë dhe masa shtesë".
Sipas tij, "Hezbollahu po e tërheq Libanin në një luftë vetëm për shkak të vdekjes së atij vrasësi masiv me të cilin ata nuk kanë lidhje", duke iu referuar Udhëheqësit Suprem të vrarë të Iranit, Ali Khamenei. Irani është mbështetësi kryesor i Hezbollahut. "Ata duhet të kujdesen për veten e tyre dhe do të bënin mirë ta bënin këtë sa më shpejt. Ne do të vazhdojmë të bëjmë atë që është e nevojshme për mbrojtjen tonë", nënvizoi kryeministri izraelit.
Netanyahu premtoi se Izraeli do të "vazhdojë të godasë Iranin me forcë. Pilotët tanë janë mbi qiellin e Iranit dhe Teheranit, si dhe mbi qiellin e Libanit".
Ndryshe, konflikti – i cili filloi me sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit herët të shtunën – tashmë ka përfshirë një numër vendesh nga rajoni i Gjirit dhe Lindja e Mesme më e gjerë.