KESCO, në cilësinë e Furnizuesit të Shërbimit Universal, ka njoftuar se nga 1 prilli 2026 hyn në fuqi faza e dytë e daljes së konsumatorëve komercialë në tregun e hapur të energjisë elektrike. Kjo masë zbatohet në përputhje me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe kërkesën e ZRrE-së (Zyra e Rregullatorit për Energji).
Sipas kornizës ligjore në fuqi, bizneset që kanë mbi 50 punonjës ose realizojnë qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro nuk do të furnizohen më me tarifa të rregulluara në kuadër të shërbimit universal. Këto biznese do të jenë të detyruara të zgjedhin një furnizues të licencuar në tregun e hapur. Të dhënat bazohen në informacionet zyrtare të Administratës Tatimore të Kosovës, sipas të cilave një numër biznesesh nuk i plotësojnë më kriteret për të mbetur në skemën e furnizimit universal.
Bizneset e prekura duhet të nisin procedurën e ndërrimit të furnizuesit së paku 21 ditë pune para hyrjes në fuqi të kontratës së re. Lista e furnizuesve të licencuar publikohet në faqen zyrtare të ZRrE-së, www.ero-ks.org.
Nëse një biznes nuk zgjedh furnizues me kohë, ai do të furnizohet përkohësisht nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit për një periudhë deri në 60 ditë. Brenda këtij afati duhet të lidhet kontratë me një furnizues të licencuar, përndryshe furnizimi me energji elektrike do të ndërpritet sipas legjislacionit në fuqi.
Gjithashtu, nga kjo datë përfundon marrëveshja ekzistuese për vetë-konsumatorët (prosumatorët) në kuadër të tarifave të rregulluara. Energjia e prodhuar dhe e injektuar në rrjet do të trajtohet sipas kontratës së re me furnizuesin e zgjedhur.
KESCO i fton bizneset të konfirmojnë pranë kompanisë numrin e punonjësve, qarkullimin vjetor dhe njësitë matëse në shfrytëzim, për të siguruar një tranzicion të rregullt drejt tregut të hapur.