Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Mbrojtjes Ejup Maqedonci vizituan sot kantierin e ndërtimit në Jahoc të Gjakovës. Atje kanë filluar punimet për kompleksin industrial të municioneve, i pari i këtij lloji në Kosovë.
Fabrika po ngrihet në një sipërfaqe prej 19 hektarësh, pjesë e 140 hektarëve që Qeveria ka ndarë për industrinë e mbrojtjes. Kompleksi ndodhet rreth 500 metra larg aeroportit ushtarak të Gjakovës dhe 19 kilometra larg poligonit në Babaj të Bokës.
Ministri Maqedonci njoftoi se makineritë prodhuese dhe pajisjet teknike po përfundojnë në Turqi. Personeli do të nisë së shpejti për specializim pranë kompanisë MKE, para fillimit të prodhimit 100 për qind vendor.
Kryeministri Kurti theksoi se këtë vit do të prodhohen municionet e para me vulën “Made in Kosova”. Ai shtoi se në katër vitet e ardhshme do të ndahen mbi 1 miliard euro për fuqizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, pajisje moderne dhe trajnime të avancuara.
Projekti parashikon që në fazat e mëvonshme të zgjerohet edhe me prodhimin e dronëve vendorë.