Punimet e para për ndërtimin e fabrikës së municionit kanë nisur në Jahoc të Gjakovës. Në terren shihen punëtorë dhe makineri të rënda që po përgatisin hapësirën për kompleksin industrial. Ministria e Mbrojtjes synon që prodhimi i parë testues i municioneve “Made in Kosova” të nisë deri në fund të këtij viti.
Ministria ka konfirmuar se projekti po zhvillohet sipas planit dhe marrëveshjes së nënshkruar me kompaninë shtetërore turke MKE. Sipas shefes së kabinetit të ministrisë, Liridona Gashi, projekti nuk përfshin vetëm ndërtimin e fabrikës, por edhe infrastrukturë mbështetëse, laboratorë testimi dhe kalibrimi, depo dhe objekte të tjera të nevojshme për funksionimin e kompleksit.
Për vënien në punë të fabrikës duhen përmbushur disa kushte: krijimi i bazës ligjore, përfundimi i procedurave administrative, instalimi i teknologjisë, trajnimi i personelit dhe zbatimi i standardeve të sigurisë. Këto kërkesa kanë ngritur pikëpyetje nëse prodhimi testues mund të nisë brenda afatit të njoftuar.
Njohësi i çështjeve të sigurisë Hysen Gecaj e konsideron të pamundur nisjen e prodhimit brenda një kohe kaq të shkurtër. Ai thotë se Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar një ligj për municionet ushtarake. Arben Dashevci, gjithashtu njohës i çështjeve të sigurisë, i lidh vonesat me procedurat administrative dhe ligjore që duhet të përmbyllen ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.
Disa muaj më parë, Ministria kishte nisur edhe procedurat për rekrutimin e personelit që do të punojë në kompleks. Konkursi përfshinte pozita të ndryshme dhe profile të specializuara në disa fusha profesionale.
Në dhjetor bëhen dy vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe MKE-së për themelimin e fabrikës. Në atë kohë ishte njoftuar se prodhimi i municionit në Kosovë do të niste në fund të dhjetorit. Tani, pas nisjes së punimeve, mbetet e hapur nëse prodhimi i parë testues do të fillojë deri në fund të këtij viti apo do të shtyhet përtej afatit të paralajmëruar.