Pelegrinazhi i madh bektashian në Malin e Tomorrit ka filluar zyrtarisht dhe do të zgjasë shtatë ditë, deri më 25 gusht 2026. Ky aktivitet fetar mbledh besimtarë nga Shqipëria, diaspora dhe vende të tjera të botës, të cilët mblidhen pranë Teqesë së Kulmakut për të kremtuar festën e Baba Tomorrit dhe për të kryer ritet tradicionale, përfshirë kurbanin dhe ngjitjen në majën e malit në lartësinë 2416 metra mbi nivelin e detit.
Për mbarëvajtjen e kësaj ngjarjeje, Drejtoria Vendore e Policisë Berat ka ndërmarrë një plan të detajuar masash, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Berat, Kuçovë dhe Skrapar, FNSH Fier, Njësinë Operacionale për Sigurinë Rrugore, shërbimet zjarrfikëse, Spitalin Rajonal Berat dhe Kryegjyshatën Botërore Bektashiane.
Sipas specialistit të trafikut, Lorenc Tanushi, janë vendosur itinerare të përcaktuara. Për ngjitje, mjetet duhet të ndjekin aksin: Rrethrrotullimi i Kombinatit – Unaza e qytetit – Rrethrrotullimi i Uznovës – Kryqëzimi i Plirëzit – Teqeja e Kulmakut. Për zbritje, mjetet mund të kalojnë nëpër Bargullaz – Pronovik – Poliçan – Uznovë – rruga “Antipatrea”, ose alternativisht përmes Novajt dhe Bogovës.
Ndër kufizimet kryesore për trafikun gjatë periudhës 18-25 gusht, nga ora 06:00 deri në 24:00, përfshihen:
• Ndalimi i qarkullimit për mjetet e tonazhit të rëndë në akse si Vlashuk–Kuçovë–Berat, Ura e Kuçit–Dimal–Berat, dhe Berat–Çorovodë.
• Ndalimi i autobusëve dhe furgonëve me mbi 8 persona në aksin Plirëz–Teqeja e Kulmakut–Mali i Tomorrit.
• Qarkullimi në segmentin Plirëz–Teqeja e Kulmakut do të kryhet vetëm në kolonë, ku parakalimet janë të ndaluara.
Teqeja e Kulmakut ka hapur dyert për besimtarët, duke ofruar infrastrukturën e nevojshme, ndërsa barinjtë e zonës së Skraparit kanë mbërritur për të ofruar kurbanet tradicionale.