Institucionet kompetente kanë filluar procesin e zhvarrosjes në një lokacion në Komunën e Zubin Potokut, pas një urdhri të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Operacioni po kryhet me qëllim identifikimin e mbetjeve mortore në kuadër të dy rasteve të hetimit penal që po udhëhiqen nga kjo prokurori.
Si pjesë e këtyre hetimeve, autoritetet kanë ndaluar për 48 orë dy persona të dyshuar, të cilët janë identifikuar me inicialet M.J. dhe M.B. Sipas njoftimeve zyrtare, procesi i zhvarrosjes është duke u zbatuar në përputhje me standardet profesionale dhe ndërkombëtare për identifikimin e mbetjeve mortore, duke përfshirë ruajtjen e provave dhe pjesëmarrjen e ekspertëve përkatës.
Autoritetet theksuan se detaje të mëtejshme rreth identitetit të mbetjeve ose natyrës së saktë të rasteve nën hetim nuk do të publikohen, për të mos cenuar integritetin e procedurave penale, procesin e identifikimit dhe të drejtat e familjarëve të viktimave. Institucionet janë shprehur të përkushtuara për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti dhe sigurimin e drejtësisë.
Përditësime
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, konfirmoi se pas ekshumimit, autoritetet kanë nisur autopsinë e mbetjeve mortore të gjetura në Zubin Potok. Të ndaluarit, M.J. dhe M.B., po hetohen për krime lufte, konkretisht për dyshimet mbi përfshirjen e tyre në vrasjen e 23 civilëve shqiptarë.
Ekipet e forenzikës kanë lokalizuar vendin e gërmimeve në fshatin Kalludër i Vogël, Zubin Potok. Mjeku i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, konfirmoi se mbetjet e gjetura janë njerëzore dhe me interes për hetimin. Operacioni po zhvillohet nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, Sektori për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe EULEX-i. Për shkak të terrenit të thyer malor, gërmimet do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim.