Më 31 janar, në rrugën Fahri Fazliu në Prishtinë, ka ndodhur një konflikt ndërmjet dy grupeve personash, i cili ka vazhduar në një lokacion tjetër të qytetit. Gjatë këtij incidenti, një veturë është përdorur për të rrezikuar personat e pranishëm, duke shkaktuar lëndime trupore tek disa qytetarë, ndërsa dyshohet se janë qëlluar edhe me armë zjarri nga vetura në lëvizje.
Njësitë e Policisë së Kosovës kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë kryer ekzaminime kriminalistike e forenzike. Si rezultat, janë sekuestruar gëzhoja, fragmente predhash, municion, mjete të forta dhe vetura e dyshuar.
Hetimi është zhvilluar në koordinim me Prokurorinë e Shtetit për veprimet penale Vrasje në tentativë, Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe Mbjajtja e paautorizuar e armëve. Policia ka identifikuar dhe intervistuar të gjithë personat relevantë, ka siguruar video-incizime nga kamerat e sigurisë dhe prova materiale të tjera.
Janë kryer tri bastisje në lokacione të ndryshme, ku janë konfiskuar dy armë zjarri dhe prova shtesë. Gjithsej janë identifikuar pesë persona të dyshuar: njëri, me inicialet A.T., ndodhet në paraburgim prej 30 ditësh, ndërsa katër të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës thekson përkushtimin për garantimin e rendit, ligjit dhe sigurisë publike, duke mos toleruar dhunën apo rrezikimin e jetëve.