Njëzet vjet pas grabitjes më të madhe të parave në historinë e Britanisë së Madhe, sulmi ndaj depojës së Securitas në Tonbridge vazhdon të mbetet e pambyllur. Ngjarja ndodhi më 21 shkurt 2006 në një ndërtesë magazinë me çati të sheshtë, në një zonë industriale pranë linjës hekurudhore dhe serviseve të makinave.
Grabitësit armatosur rrëmbyen menaxherin e objektit bashkë me gruan dhe fëmijën e tij për të siguruar hyrjen. Ata mbajtën peng 14 punonjës në kafaze nën kërcënimin e armëve dhe ngarkuan pothuajse 53 milionë paund në kartëmonedha në një kamion të rëndë. Miliona të tjera parash mbetën brenda për shkak të sasës së madhe që tejkalonte kapacitetin e mjetit.
Një autor librash për krime ka thënë se grabitësit nuk e dinin saktësisht sasinë e parave dhe nuk arritën t'i numëronin për shkak të bollëkut të tyre.
Në gjyqin kryesor në Old Bailey më 2008, u dënuan me burg pesë burra: Stuart Royle, Lea Rusha, Jetmir Bucpapa, Roger Coutts dhe Emir Hysenaj. Jetmir Bucpapa dhe Emir Hysenaj janë dy shtetas nga Tropoja. Lee Murray u burgos në Marok, ndërsa Paul Allen në Mbretërinë e Bashkuar për rolin në planifikim.
Nga 32 milionë paund që nuk u rikuperuan kurrë, shefi i policisë së Kentit, Tim Smith, ende shpreson për gjurmimin e tyre. Ai thekson se kartëmonedhat e vjetra prej letre, të cilat ishin në përdorim para atyre plastike, mund të kenë degraduar pas 20 vitesh varrosjeje. "Kjo ndodhi përpara se të futeshin në përdorim kartëmonedhat plastike; letra degradohet. Pas 20 vitesh të varrosura ka shumë gjasa që një pjesë e madhe të jetë shkatërruar", ka deklaruar Smith, ish-oficeri kryesor hetues i natës së ngjarjes.
Smith kujton se fillimisht dinte vetëm se punonjësit ishin rrëmbyer për të siguruar hyrjen në deponë, për të cilën ai nuk kishte dëgjuar më parë.