Flamur Noka, sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike, deklaroi se kryeministri Edi Rama është problem kombëtar për shoqërinë dhe opozitën, si dhe është bërë problemi i vetëm ndërkombëtar.
I ftuar në emisionin “Off the Record” në A2 CNN, Noka tha se zgjidhja e vetme është largimi i qeverisë aktuale dhe arritja e një marrëveshjeje politike me dy prioritete kryesore: institucionalizimi i zgjedhjeve të lira dhe zhbllokimi i procesit të integrimit europian, të cilin Rama e ka penguar.
Opozita ka paralajmëruar një maratonë protestash për të shtuar presionin e brendshëm ndaj qeverisë. Noka theksoi se presioni i jashtëm nga ndërkombëtarët po rritet gradualisht dhe po e ngushton hapësirën për Ramën.
Ai shtoi se ndërkombëtarët kanë kryer detyrat e tyre me raporte të mëparshme, ndërsa tani radha i takon opozitës vendase. “I zoti e nxjerr gomarin nga balta. Ne nuk do të ndalemi deri në gjetjen e zgjidhjes politike”, u shpreh Noka.