Shoqata Norvegjeze e Futbollit ka njoftuar se të gjitha të ardhurat nga shitja e biletave të ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës 2026, në të cilën përfaqësuesja e Norvegjisë do të përballet me Izraelin, do të destinohen për ndihma humanitare në Rripin e Gazës.
Fondet e grumbulluara do t'u shpërndahen organizatave mjekësore dhe humanitare që veprojnë në terren. Një ndër përfituesit kryesorë është organizata Mjekët pa Kufij (Medecins Sans Frontieres – MSF), e cila ofron kujdes shëndetësor dhe ndihmë jetike për civilët e prekur nga konflikti.
Nëpërmjet një komunikate zyrtare, Shoqata Norvegjeze e Futbollit theksoi se qëllimi i kësaj nisme është ofrimi i një mbështetjeje konkrete për njerëzit që përballen me një krizë të rëndë humanitare, duke u shkëputur nga çdo kontekst politik. Ky vendim ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik dhe rrjetet sociale, ku iniciativa është vlerësuar si një shembull i rolit social që mund të ketë sporti në ndihmë të komuniteteve në nevojë.