Mbreti Harald V, monarku më i vjetër në detyrë në Evropë, ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare në Spitalin Universitar të Oslos. Pas vdekjes së tij, djali i tij 53-vjeçar, Princi i Kurorës Haakon, u bë automatikisht mbret dhe do të njihet si Haakon VIII.
Që nga mbrëmja e të premtes, qytetarë të shumtë janë mbledhur në rrugët e kryeqytetit për të përcjellë kortezhin mortor që transportoi trupin e mbretit drejt Pallatit Mbretëror, pavarësisht reshjeve të dendura të shiut. Flamujt në të gjithë Norvegjinë janë ulur në gjysmë shtizë, ndërsa portretet e monarkut të ndjerë janë vendosur në stacionet e transportit publik, dyqane dhe ndërtesa institucionale.
Në një fazë të mëvonshme, arkivoli i Mbretit Harald do të vendoset në kapelën mbretërore mbi një katafalk të mbuluar me pëlhurë vjollcë, ku do të qëndrojnë edhe simbolet e monarkisë: kurora, shpata, skeptri dhe globi mbretëror. Ndërsa qytetarët nderojnë figurën e tij si një simbol bashkimi dhe tolerance, Haakon VIII pritet t'i drejtohet kombit me një fjalim televiziv. Mbreti i ri do të betohet të martën para parlamentit për mbrojtjen e Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Në Norvegji nuk zhvillohen ceremoni kurorëzimi, pasi ato janë shfuqizuar që nga viti 1908.
Udhëheqës të ndryshëm botërorë dhe familje mbretërore, përfshirë ato të Spanjës, Danimarkës, Suedisë dhe Britanisë, kanë shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Mbretit Harald, i cili mbajti fronin që nga viti 1991 dhe përballoi disa sfida shëndetësore gjatë viteve të fundit.