Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi vizitoi më 12 tetor Qendrën e Arsimimit Profesional të Ushtarit (QAPU) në Bunavi, Vlorë. Ai u takua me studentë, kadetë, ushtarë të rinj, drejtues dhe instruktorë të qendrës. Në vizitë e shoqëroi shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji.
Nufi vlerësoi rolin e QAPU-së në përgatitjen profesionale dhe formimin e brezave të rinj ushtarakë. Ai tha se trajnimi synon të zhvillojë jo vetëm aftësitë ushtarake, por edhe disiplinën, karakterin, përgjegjësinë dhe frymën e bashkëpunimit. Duke iu drejtuar të rinjve që kanë zgjedhur shërbimin ushtarak, ministri u shpreh: “Uniforma ushtarake është privilegji juaj i jetës, është krenaria juaj, është edhe nderi juaj!”.
Sipas Nufit, gjatë trajnimit tre mujor pjesëmarrësit mësojnë disiplinën dhe rregullat, zhvillojnë qëndrueshmërinë e bashkëpunimin dhe kuptojnë rëndësinë e të qenit pjesë e një force që vepron si e tërë. Ai tha se suksesi nuk matet vetëm me përmbushjen e detyrave apo zotërimin e aftësive ushtarake, por edhe me karakterin, respektin për shokët, besimin te skuadra dhe gatishmërinë për të ndihmuar ata që kanë nevojë.
Ministri theksoi se Shqipërisë i nevojiten ushtarakë profesionistë, të aftë dhe të përgatitur për të vepruar sipas standardeve të NATO-s. Ai tha se Forcat e Armatosura duhet të mësojnë vazhdimisht, të përshtaten me ndryshimet dhe të investojnë te personeli, krahas modernizimit të kapaciteteve. Sipas tij, përgatitja e vazhdueshme dhe standardet e larta janë të rëndësishme për përballimin e sfidave të reja dhe kontributin e Shqipërisë në sigurinë e përbashkët euroatlantike. Nufi vlerësoi gjithashtu përgjegjësinë e instruktorëve në përcjelljen e njohurive, aftësive dhe vlerave të shërbimit në Forcat e Armatosura.
Javën e kaluar, 78 studentë të Kursit të Përgatitjes së Oficerit nisën një trajnim dhjetëjavor, ndërsa 80 studentë të ciklit Bachelor nisën një trajnim pesëjavor. QAPU përgatit rekrutët dhe kadetët për kalimin nga jeta civile në atë ushtarake dhe për përgjegjësitë që i presin në shërbim të vendit.