Pas përfundimit të numërimit për subjektet politike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vijuar me procesin e numërimit të votave individuale për kandidatët për deputetë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Sipas të dhënave të publikuara pas përpunimit të 10% të votave, Vjosa Osmani Sadriu është kandidatja më e votuar deri në këto momente.
Menjëherë pas saj renditet kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, i pasuar nga Doarsa Kica-Xhelili dhe figura të tjera të larta të LDK-së. Në dhjetëshen e parë bëjnë pjesë edhe Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Ermal Sadiku dhe Janina Ymeri.
Në fazën kur ishin numëruar rreth 6% e votave, shifrat tregonin këtë renditje për kandidatët më të votuar:
- Vjosa Osmani: 3,277 vota
- Lumir Abdixhiku: 3,040 vota
- Doarsa Kica-Xhelili: 2,320 vota
- Hykmete Bajrami: 1,705 vota
Procesi i numërimit të votave po vazhdon me ritëm të shpejtë për të gjitha subjektet pjesëmarrëse në zgjedhjet e mbajtura më 7 qershor.
Përditësime
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka numëruar rreth 19,5% të votave për kandidatët e LDK-së. Nga këto të dhëna, në dhjetëshen e kandidatëve më të votuar janë renditur: Ukë Rugova, Kujtim Shala, Anton Quni, Lutfi Haziri dhe Armend Zemaj.
Deri më tani janë numëruar 20 për qind e votave për kandidatët e listës së Vjosa Osmanit, të cilët garuan në listën zgjedhore të LDK-së. Albena Reshitaj kryeson me 2,886 vota, e ndjekur nga Jeta Statovci me 2,163 vota, Fahrije Hoti me 1,657 vota, Haxhi Avdyli me 1,054 vota, Bardhyl Hasanpapaj me 949 vota, Arjeta Musliu me 549 vota dhe Kreshnik Çollaku me 319 vota.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se është përmbyllur numërimi i 25% të votave për kandidatët e LDK-së. Nga publikimi i listës së 20 kandidatëve më të votuar, prijnë Vjosa Osmani me 17,507 vota dhe Lumir Abdixhiku me 15,844 vota.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se numërimi i votave për kandidatët e LDK-së ka kaluar pragun prej 50%, duke u përmbyllur në 1.260 nga gjithsej 2.498 vendvotime. Deri më tani, udhëheqin Vjosa Osmani-Sadriu me 38.917 vota, e ndjekur nga Lumir Abdixhiku me 35.307 dhe Doarsa Kica-Xhelili me 27.406 vota. Renditja e kandidatëve të tjerë është si vijon: Hykmete Bajrami (18.204), Avdullah Hoti (17.512), Lutfi Haziri (15.930), Kujtim Shala (14.890), Anton Quni (13.450), Armend Zemaj (12.120) dhe Ukë Rugova (10.350).