Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e së premtes shkollën Giovanni Verga në zonën Centocelle të Romës, ku një nxënës 13-vjeçar ka sulmuar fizikisht mësuesen e tij. Sipas hetimeve paraprake, i mituri e ka spërkatur mësuesen me sprej djegës dhe më pas e ka plagosur me thikë. Mësuesja Isabella Marsilio, 66 vjeçe, është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndonëse në gjendje të rënduar psikologjike.
Autoritetet kanë sekuestruar telefonin e të miturit për të verifikuar nëse sulmi është regjistruar ose transmetuar në rrjetin Telegram. Burime të ndryshme bëjnë me dije se një bashkëmoshatar ka ndërhyrë duke e ndaluar 13-vjeçarin gjatë përpjekjes së tij për të filmuar ngjarjen. Adoleshenti është shoqëruar në polici së bashku me prindërit e tij, ndërsa hetimet për zbardhjen e rrethanave janë në vijim.
Lidhur me shkaqet e ngjarjes, versionet mbeten ende nën hetim. Ndërsa disa burime shkollore aludojnë për një hakmarrje për shkak të notave të dobëta, të dhëna të tjera nga agjencia ANSA theksojnë se i mituri nuk kishte shfaqur probleme të mëparshme dhe përshkruhej si një nxënës i qetë. Ndikimi i rrjeteve sociale dhe mundësia e një sfide online janë ndër pistat që po shqyrtohen nga karabinierët.
Ministri i Arsimit i Italisë, Giuseppe Valditara, ka reaguar për këtë ngjarje duke kontaktuar drejtoreshën e shkollës, Wanda Giacomini, për të shprehur solidaritetin me mësuesen dhe komunitetin shkollor.
Përditësime
Hetimet për sulmin në shkollën Giovanni Verga zbuluan një detaj të ri shqetësues. Autoritetet konfirmuan se nxënësi 13-vjeçar e spërkati mësuesen Isabella Marsilio me sprej në fytyrë para se ta godiste atë me thikë. Ky veprim i parapriu sulmit fizik, duke hedhur dritë mbi dinamikën e planifikuar të ngjarjes.