Kub France Shkodra, në mjediset e Muzeut Kombëtar të Fotografisë „Marubi“ në Shkodër, ka nisur një aktivitet edukativ kushtuar jetës dhe veprave të piktorit Vincent van Gogh. Aktiviteti fillon prej së enjtes dhe është i hapur për të vegjlit, nxënësit, të rinjtë dhe kureshtarët e artit.
Fëmijët udhëtojnë në universin e ngjyrave të Van Gogh-ut përmes përvojës së realitetit virtual „Mr. Vincent“ dhe platformës Micro-Folie. Kjo përvojë immersive u mundëson të eksplorojnë pikturat, emocionet dhe historitë e artistit në mënyrë argëtuese e frymëzuese. Pjesëmarrësit përdorin fotografi, video dhe lojëra digjitale për të zbuluar jetën e tij.
Përvoja „Mr. Vincent“ është marrë nga katalogu i Institutit Francez. Aktiviteti udhëhiqet nga ekipi edukativ i Kub France Shkodra, i cili shoqëron nxënësit gjatë gjithë eksplorimit. Mosha e rekomanduar është nga 10 vjeç e lart, ndërsa grupe deri në 12 persona mund të marrin pjesë njëkohësisht.
Rezervimi bëhet paraprakisht, të paktën një ditë para vizitës, duke dërguar email në kubfrancshkodra@gmail.com. Aktiviteti është falas dhe nuk kërkon përvojë të mëparshme në fotografi.