Të mërkurën, më 11 shkurt 2026, u konstituua Kuvendi i ri i Kosovës dhe u votua Qeveria e re, e dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mirëpriti themelimin e institucioneve të reja legjislative dhe ekzekutive, duke e konsideruar si reflektim të qartë të funksionimit demokratik dhe të pjekurisë politike të vendit. Kjo ngjarje përbën tregues të konsolidimit institucional, në përputhje me kuadrin kushtetues dhe ligjor.
Oda thekson nevojën për një agjendë të qartë reformash ekonomike, që adresojnë sfidat strukturore dhe përshpejtojnë rritjen. Prioritetet kryesore përfshijnë:
• Sektorin e energjisë, me diversifikim të burimeve, forcim të sigurisë energjetike dhe investime në infrastrukturë moderne si dhe energji të pastër;
• Krijimin e kushteve të favorshme për investime strategike dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët strategjikë;
• Zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe harmonizimin e sistemit arsimor me kërkesat e tregut të punës për rritjen e konkurrueshmërisë;
• Fuqizimin e bazës industriale;
• Përmirësimin e klimës së të bërit biznes përmes sundimit të ligjit, sigurisë juridike, reduktimit të barrierave administrative dhe rritjes së transparencës në vendimmarrje.
Sipas njoftimit, një pjesë e konsiderueshme e reformave ekonomike kanë mbetur të vonuara për më shumë se një vit. Oda mirëpret që mandati i ri qeverisës të shfrytëzohet për t’i shtyrë përpara këto reforma në mënyrë të koordinuar dhe me vizion afatgjatë.