Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka përshëndetur vendimin e Komisionit Evropian për heqjen e të gjitha masave financiare, të cilat më parë pengonin qasjen e institucioneve dhe bizneseve kosovare në instrumentet e Bashkimit Evropian për zhvillim ekonomik.
Sipas reagimit të OEK-ut, ky hap i rëndësishëm hap rrugën për realizimin e projekteve rajonale në fushat e energjisë, mbrojtjes së mjedisit, digjitalizimit dhe infrastrukturës lokale.
"Ne vlerësojmë angazhimin e Komisionit Evropian dhe institucioneve evropiane për t’i rikthyer vendit tonë rrugën drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian. OEK-u mbetet e gatshme të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë për të siguruar një sektor privat të fuqishëm dhe perspektivëdhënës në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë", thuhet në reagimin e OEK-ut.