Një operacion shpëtimi është zhvilluar këtë të martë në fshatin Kapaj të Mallakastrës, pas një aksidenti ku një qytetar ka përfunduar në një humnerë. I dëmtuari, i identifikuar si Fluturim Salobehaj, banor i fshatit Selitë, ishte duke tentuar të riparonte një tubacion uji kur ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë nga një lartësi prej rreth 50 metrash.
Pas njoftimit nga familjarët për mungesën e tij, forcat zjarrfikëse dhe efektivët e policisë kanë ndërhyrë menjëherë në terren për lokalizimin dhe nxjerrjen e tij. Për shkak të terrenit të thyer dhe vështirësisë së vendngjarjes, ekipet e shpëtimit kanë përdorur litarë dhe pajisje specifike për të arritur te i plagosuri.
Pas nxjerrjes nga humnera, Fluturim Salobehaj është transportuar për në Spitalin Rajonal të Fierit. Ai ka pësuar fraktura dhe dëmtime të ndryshme në trup, ndërsa ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Autoritetet vijojnë verifikimet për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes.
Përditësime
Policia e Shtetit konfirmoi zyrtarisht përfundimin e operacionit të shpëtimit. Qytetari Fluturim Salobehaj qëndroi i bllokuar në humnerë për më shumë se 8 orë përpara se të nxirrej nga forcat operacionale. Mjekët në Spitalin Rajonal të Fierit bënë të ditur se pacienti ndodhet jashtë rrezikut për jetën, pavarësisht dëmtimeve të marra në këmbë dhe pjesë të tjera të trupit.