Në zgjedhjet parlamentare të Hungarisë më 12 prill 2026, partia e opozitës Tisza, e udhëhequr nga Péter Magyar, fitoi një shumicë të fortë, duke siguruar 135 vende nga 199 në parlament dhe mbi 45% të votave, sipas rezultateve paraprake të Europe Elects.
Partia Fidesz e kryeministrit Viktor Orbán mori vetëm 57 mandate, duke humbur pushteten pas 16 vitesh.
Në një fjalim të shkurtër pas rezultatit, Orbán e përshkroi atë si "i dhimbshëm për ne, por i qartë". Ai përgëzoi Tisza-në, falënderoi 2,5 milionë hungarezë që votuan për partinë e tij dhe theksoi se Fidesz kishte punuar më shumë se kurrë në fushatën zgjedhore.
"Ne do t’i shërbejmë vendit tonë dhe kombit hungarez nga opozita", deklaroi ai, duke kujtuar 30 vite në krye të Fidesz-it me periudha të vështira dhe të lehta. "Këto ditë kanë të bëjnë me shërimin e plagëve tona, por ka ende punë për t’u bërë", përfundoi kryeministri në largim, duke theksuar se nuk do të dorëzohet kurrë.
Nga ana tjetër, Péter Magyar bëri të ditur në rrjetet sociale se Orbán e kishte uruar për fitoren në telefon dhe falënderoi qytetarët. Ai shprehu shqetësime për parregullsi, duke thënë se partia e tij kishte marrë ankesa për mashtrime dhe ndikim në rezultat. "Kushdo që kreu ose nxiti mashtrim zgjedhor do të mbahet përgjegjës para ligjit", paralajmëroi Magyar, duke premtuar hetime nëse pretendimet konfirmohen.
Përditësime
Projektime të reja parashikojnë Tiszën me 137-138 mandate (nga 135), Fideszin me 54-55 (nga 57) dhe Mi Hazánkin me 6-7.
Pjesëmarrja arrin rekord 79.5%.
Péter Magyar deklaroi: "Së bashku përmbysëm regjimin hungarez" dhe "çliruam Hungarinë", duke marrë mbështetje nga 3.3 milionë votues.
Ai planifikon vizita në Varshavë dhe Bruksel për të forcuar aleancat me BE-në dhe NATO-n.
Tisza i afrohet shumicës kushtetuese (133 mandate për 2/3). Qeveria e re do të përfshijë ekspertë në shëndetësi, arsim dhe ekonomi.
Tisza ka siguruar rreth 138 mandate me mbi 98% të votave të numëruara, ndërsa Fidesz rreth 55 mandate.
Péter Magyar foli para mijëra mbështetësve në Budapest. Premtoi:
- Anulimin e reformave të Orbánit;
- Luftë kundër korrupsionit;
- Rikthimin e pavarësisë së gjyqësorit;
- Çmontimin e sistemit NER.
Ai synon afrim me BE, distancim nga Rusia dhe zhbllokim i fondeve të ngrira të BE.
Orbán nuk ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i Fidesz-it dhe do të qëndrojë përkohësisht deri në krijimin e qeverisë së re.
Festime në rrugët e Budapestit.