Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përshëndetur hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe kalimin e përgjegjësive për sigurimin e saj te Policia e Kosovës. Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ajo e ka vlerësuar këtë veprim si një zhvillim të rëndësishëm që kontribuon në integrimin e plotë të territorit të vendit dhe në forcimin e rendit e të ligjit.
Sipas Osmani, për më shumë se 27 vjet, ndarja e kësaj ure ka shkaktuar pasiguri dhe probleme në sundimin e ligjit, ka mundësuar spastrimin etnik të shqiptarëve dhe uzurpimin e pronave, duke i shërbyer njëkohësisht Serbisë si alibi për ndarjen e Kosovës. Deputetja e LDK-së theksoi se qarkullimi i lirshëm mbi urë, përveç bashkimit të njerëzve, përbën një hap historik kundër përpjekjeve të Serbisë për gllabërim territoresh.
Ndonëse shprehu rezerva për vonesat e gjata në realizimin e këtij procesi, Osmani vlerësoi se ky zhvillim do të forcojë paqen e qëndrueshme. Ajo shprehu mirënjohje për të gjitha institucionet e angazhuara ndër vite, duke vënë theksin te Policia e Kosovës, e cila vazhdon të mbajë barrën kryesore për garantimin e sigurisë në çdo pëllëmbë të territorit të vendit.